Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me homologun e tij Kosovar Albin Kurti. Të dy kanë folur për disa tema, derisa kanë treguar edhe mospajtime sa i përket idesë së ‘minishengenit Ballkanik’.
Siç raporton Gazeta Express, gjatë konferencës së përbashkët në Tiranë, Kurti tha se “ky takim ishte më shumë për makroshengenin shqiptar, se sa minishengenin ballkanik”, derisa Rama ka thënë se “s’ka makroshengen shqiptar, pa minishengen ballkanik.”
Rama ka theksuar se me Kurtin ka diskutuar për procesin e Berlinit, derisa “do të vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimit të katër lirive themelore të BE-së në rajon ku për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve, ja thash edhe kryeministrit sot që për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave të kapitaleve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve, është themelore që të jemi të gatshëm të angazhuar dhe të qartë në çdo hap për të hequr kufirin mes të dy shteteve dhe për ta bërë hapësirën e përvecsshme të secilit shtet hapësirë të përbashkët. Dua të theksoj që ne jemi qind për qind në përpjekje të Kosovës për të gjithë betejën për të quar përpara procesin e njohjes së plotë përfundimtare si shtet sovran dhe demokratik.”
Kryeministri i Shqipërisë ka njoftuar se do të fillojnë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, mbledhje kjo e cila do të mbahet në Shkodër.