Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve nga Covid-19 në Prishtinë, është paralajmëruar se do të ketë masa të reja “në veçanti” për kryeqytetin.

Pas takimit ndërmjet Kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti dhe Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, ky i fundit ka thënë se së shpejti do të prezantohen masat e reja kundër koronavirusit.

“Dy javët e fundit, Prishtina ka qenë epiqendra e infeksionit në vendin tonë. Ky fakt shqetësues na detyron që shumë shpejtë të dalim me vendime për masa të reja për Kosovën në përgjithësi, por, për Prishtinën në veçanti”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Ndërkohë, Ahmeti ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar “për qasjen dhe mënyrën më të mirë të koordinimit dhe mobilizimit që të sigurohemi që po zbatohen të gjitha vendimet dhe udhëzimet e institucioneve përkatëse lidhur me parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë.”

Në faqen e tij në Facebook, Ahmeti nuk ka dhënë detaje se cilat do të jenë masat e reja, por ka bërë thirrje “të jemi më të ndergjëgjshëm ndaj vetes dhe të tjerëve duke zbatuar masat mbrojtëse kryesore, duke mbajtur maskën, respektuar distancën fizike dhe kujdesur për higjienën.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *