Lidhja Demokratike e Kosovës synon të kontribuojë në formimin e institucioneve, ka thënë kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku.
Në lidhje me çështjen e votimit të presidentit, Abdixhiku ka thënë se qëndrimi i partisë së tij do të dihet pas takimit që të premten do të ketë me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
“Po besoj gjatë vikendit do t’i formojmë organet e partisë siç është Kryesia e LDK-së, dhe aty marrim vendim për të gjitha çështjet në koordinim me Grupin Parlamentar të LDK-së”, ka thënë ai pas takimit me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, transmeton Klan Kosova.
Abdixhiku tha se partia që ai drejton “synon t’i shmang zgjedhjet” dhe se çështjet e tjera do të dihen pas takimit që do të ketë me fituesit e zgjedhjeve.