Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet në mirëbesim dhe rezultati i tij duhet të jetë njohja reciproke.
Kjo është ritheksuar gjatë takimit virtual që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar të hënën me Kancelaren gjermane Angela Merkel.
“Në lidhje me dialogun me Serbinë, u pajtuam se ai duhet të jetë dialog i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe që për rezultat duhet të ketë njohjen reciproke, kurse shtova se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve – nuk mund të kthehemi para vitit 2008”, ka njoftuar Kurti përmes një postimi në Facebook.
Kurti tha se gjatë bisedës me kancelaren gjermane është diskutuar për mërgatën e Kosovës në Gjermani, për Procesin e Berlinit që pritet të mbahet gjatë muajit korrik dhe për liberalizimin e vizave.