Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, në një intervistë ekskluzive për INC rrjetin ka folur për aspektet e ndryshme që lidhen me rifillimin e dialogut Prishtinë – Beograd dhe pritshmëritë mbi arritjen e marrëveshjes finale.

Duke kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve apo të ndryshimit të kufijve, Viola von Cramon ka përmendur rritjen e kompetencave të pushtetit lokal për komunitetin serb në Kosovë.

“Besoj se duhet të tregohet se është një linjë shumë e hollë. Të dihet se çfarë lloj kompetencash, çfarë lloj elemente të sovranitetit mund t’i jepen komuniteteve  dhe të cilat, natyrisht, duhet të rregullohen dhe të janë në vijë me nivelin kombëtar. Me siguri kemi pasur shembuj të mirë dhe të këqij se si mund të organizohet një shtet federal. Dhe ne shohim që Suedia ka një gamë më të gjerë të autonomisë për komunitetet lokale. Dhe Suedia nuk është një shtet i dështuar. E njëjta gjë me Zvicrën “, është shprehur Von Cramon e cila po ashtu e ka bërë të qartë që kjo, në asnjë mënyrë, nuk do të thotë krijim i një hapësire për një nivel të ri të pushtetit.

“Pra, nëse e organizoni atë në një mënyrë të duhur, ajo autonomi nuk ka nevojë të krijojë ndikim më të madh nga shteti serb në komunitetin serb në Kosovë. Por jo në aspektin e krijimit të kanaleve për një nivel  të dytë ose forcë të dytë të pushtetit, pra që një shtet tjetër të përzihet në çështjet e shtetit tuaj”, ka thënë Viola von Cramon.

Intervistën e plotë me eurodeputeten gjermane mund ta dëgjoni më poshtë. Intervista është realizuar si pjesë e serisë së emisioneve ‘Ura, Dialogu Prishtinë – Beograd’ që INC rrjeti i medieve e realizon me përkrahjen e fondacionit NED.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *