Maqedonia e Veriut ka pranuar të premten 200 mijë vaksina kundër koronavirusit nga prodhuesi kinez Sinofarm.
“Gjithçka po shkon sipas parashikimeve dhe vaksinat po shpërndahen në mënyrë korrekte sipas strategjisë së hartuar”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Vaksinimi masiv do të nis të martën në Shkup dhe gjashtë qytete tjera, transmeton REL.
Filipçe gjithashtu tha se së shpejti pritet të arrijë edhe një dërgesë prej 500 mijë vaksinave “Sinovak”, rreth 100 doza “Sinofarm”, si dhe 26 mijë të tjera nga “Pfizer”.
Vaksina Sinofarm jepet në dy doza dhe ndryshe nga vaksina Pfizer, e cila duhet të ruhet në -70 gradë Celsius, vaksina kineze mund të ruhet edhe në një frigorifer të zakonshëm.
Ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut është shënuar ulje e numrit të të infektuarve ndërsa me vendim të qeverisë janë miratuar edhe disa masa lehtësuese për bizneset dhe qytetarët.