Në Shtetet e Bashkuara janë kujtuar viktimat e sulmeve terroriste të kryera 21 vite më parë, në 11 shtatorin e vitit 2001.
Një tingull kambane dhe një moment heshtjeje shënuan fillimin e përkujtimores në të ashtuquajturën pikën zero në Nju Jork, ku kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën nga sulmet e avionëve të rrëmbyer.
Rreth 3 mijë vetë humbën jetën nga sulmet e 11 shtatorit, 21 vjet më parë.
Presidenti Joe Biden nderoi ata që humbën jetën nga sulmi në Pentagon, në një ceremoni solemne ku nderoi “amerikanët e jashtëzakonshëm” që dhanë jetën në një nga ditët më të zeza të kombit, siç u shpreh ai.
“Ne kurrë nuk do të harrojmë, nuk do të dorëzohemi kurrë,” tha zoti Biden, transmeton VOA.
Zoti Biden vuri në dukje se edhe pasi Shtetet e Bashkuara u larguan nga Afganistani, administrata e tij vazhdon të ndjekë ata që janë përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit.
Komunitete të tjera anembanë SHBA-së po e shënojnë ditën me vigjilje me qirinj, shërbesa ndërfetare dhe aktivitete të tjera. Disa amerikanë po marrin pjesë në projekte vullnetare në një ditë që njihet si Dita e Patriotëve si edhe Dita Kombëtare e Shërbimit dhe Përkujtimit.