Një ish-ushtar i ushtrisë shqiptare ka zgjedh të radhitet si vullnetar në ushtrinë e Ukrainës në pjesën e tensionuar të kufirit me Rusinë.
Emanuel Bazanji thotë se ky vendim i tij ka të bëjë me demokracinë.
“Ajo që na bashkon është dashuria për lirinë, dashuria për demokracinë dhe dashuria për të ndihmuar njerëzit,” tha Bazanji për portalin Coffee or Die Magazine, transmeton Gazeta Shqip.
“Ne nuk paguhemi këtu, nuk po i kërkojmë qeverisë ukrainase asgjë, ne jemi vetëm këtu për t’i ndihmuar këta njerëz të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që na bashkon, të shohim njerëzit të jetojnë të lumtur dhe të lirë.”
Nën komandën e një ish-oficeri ushtarak gjeorgjian të quajtur Mamuka Mamulashvili, Legjioni Kombëtar i Gjeorgjisë më parë vepronte si njësi e vijës së parë në vitet e para të luftës në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.
Tashmë e stacionuar në periferi të Kievit, kjo njësi tërësisht vullnetare është bërë një qendër rekrutimi për të huajt që nënshkruajnë kontratë shërbimi tre-vjeçare në detyrë aktive me forcat e armatosura të rregullta të Ukrainës.
Që nga fillimi i luftës në 2014, Legjioni Kombëtar i Gjeorgjisë ka regjistruar ushtarë nga 27 vende, duke përfshirë SHBA, Australi, Gjermani, Gjeorgji, Meksikë, Azerbajxhan, MB, Austri, Francë, Greqi, Japoni, Kroaci dhe Serbi.