Janë bërë 40 vite nga fillimi i demonstratës së 11 marsit të vitit 1981, organizuar nga studentët në Prishtinë.
Gjithçka kishte filluar në një nga konviktet e studentëve në fillim të muajit mars, ku disa studentë kishin planifikuar demonstratat, si përgjigje kundër dhunës që u përdor për të shtypur protestat nëpërmjet të cilave ata kërkonin trajtim dinjitoz dhe ushqim, në mensën e studentëve.
“Kemi qenë 4 shokë në Fakultetin e Drejtësisë, kemi qenë absolventë para diplomimit dhe, dy shokë të tjerë kanë qenë në Fakultetin Teknik, nuk kemi parë më parë demonstrata. E kemi organizuar me të drejtën tonë se na bëheshin të padrejta jo vetëm në Qendrën Studentore në mensë, por ishim të frymëzuar sepse nuk e ndjenim veten si komb”, është shprehur për Koha.net njëri nga organizatorët e këtyre protestave, Januz Januzaj.
Ndërsa, gazetari serb Milivoje Mihajloviq e kujton atë ditë duke e cilësuar si dita kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë.
“Askush nuk e imagjinonte që në atë Mars me diell, 40 vjet më parë, shpërbërja e Jugosllavisë do të fillonte në Prishtinë, më pak se një vit pas vdekjes së udhëheqësit komunist jugosllav Josip Broz Tito”, ka thënë Mihajloviq në një shkrim të publikuar në portalin “Kossev”, transmeton KlanKosova.
“Disa pllaka të thyera në Mensën e Studentëve “çuan” qindra studentë në rrugë, të cilët marshuan nëpër qendrën e qytetit, rreth orës 21, duke thirrur parrulla që kërkonin kushte më të mira në qytetin studentor”.
Demonstratat e studentëve shqiptarë në Kosovë filluan më 11 mars 1981 dhe vazhduan më 24 mars dhe më 1 e 2 prill 1981.