Presidenti Hashim Thaçi i ka këruar Lëvizjes Vetëvendosje një emër të ri për kryeministër, dhe kjo nga shumë ekspertë ligjorë po parashihet se mund të fut vendin në një krizë të re politike.
Pse? Pasi partia e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mund të shfrytëzojë kohën që i takon për formimin e një koalicioni të ri.
“Po mund të jetë një krizë pasi Vetëvendosje nuk ka një afat apo limit kohor që mund ta dërgojë një emër te presidenti, pra nuk i limitohet me Kushtetutë. Normalisht që presidenti mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të pyes se cili do të ishte afati optimal që subjekti politik t’i kthejë përgjigje presidentit apo të ja dërgojë emrin presidentit” thotë për Radion Evropa e Lirë, eksperti ligjor Floren Spahija.
Edhe analisti i çështjeve politike Albert Krasniqi, mendon se ekziston një paqartësi kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sipas tij, nuk ka afat të paraparë se për sa kohë duhet që partia e parë të kthejë një përgjigje, pra nëse refuzon apo nëse dëshiron të procedojë me zgjedhjen e kryeministrit të ri.