Nga Ergys Mërtiri
panorama.com.al

Nën ethet e kërcënimit pandemik, shkrimtarë, mendimtarë e intelektualë të shumtë nëpër botë kanë folur për efektet që kjo situatë do të sjellë. Shumë prej tyre besojnë se bota pas koronavirusit do të jetë ndryshe dhe përfytyrimet mbi të kanë qenë të shumta. Të mbyllurit në shtëpi, nën kërcënimin e vdekjes dhe ankthit, natyrisht që përbën një shkundje, e cila sipas tyre do të ketë efekt të jashtëzakonshëm, që do të reflektohet mbi jetën, politikën, kulturën dhe sjelljen tonë. Sipas këtij përfytyrimi, kjo sëmundje erdhi për të kapërcyer një epokë, duke hapur dyert e një tjetre.

Në fakt, më shumë se mbi të ardhmen, kjo që po ngjet na tregon shumë mbi të tashmen tonë, të cilën shumëkush nuk e vëren. Ajo na rrëfen mbi mënyrën sesi i krijojmë bindjet, sesi reagojmë ndaj rrethanave dhe se çfarë kërcënimesh na kanosen për shkak të sjelljeve tona. Kemi të bëjmë me një rast të padëgjuar më parë në historinë njerëzore, ku një panik global krijohet më shumë prej vetë nesh dhe mënyrës sonë të të jetuarit, menduarit e komunikuarit, sesa prej vetë burimit të panikut – sëmundjes.

Nëse do t’u referohemi epidemive të mëparshme, do të qeshnim vërtet me frikërat e sotme. Epidemi të tilla si ajo e kolerës, murtajës, tifos, etj., kanë qenë vërtet shfarosëse dhe rimbyllja e njerëzimit në karantinë, për herë të parë pas kaq kohësh, tregon se ka diçka që nuk shkon me epokën tonë.

Shifrat e vdekjeve dhe rrezikshmëria e Covid-19 janë në nivele të përafërta me ato të një gripi të zakonshëm dhe shumë më të ulëta se një sërë sëmundjesh, që sot e gjithë ditën shkaktojnë qindra e mijëra viktima nëpër botë, si: kanceri, AIDS, malaria etj. Deri tani janë rreth 165 mijë të vdekur nga Covid-19, kundrejt 146 mijë të vdekurve nga gripi stinor, pa llogaritur këtu që gripi është zëvendësuar nga Korona dhe një pjesë e mirë e viktimave të tij janë marrë nga kjo e dyta. Bota ka kaluar disa epidemi gjatë këtyre dekadave, shumë më vrasëse dhe të rrezikshme – siç ishte Ebola, SARS-i, gripi i derrit apo dhe ai shpendëve, – por nuk u mbyll në shtëpi për të shkatërruar ekonominë dhe burimet e jetesës.

Më shumë sesa perceptim i ndonjë rreziku, paniku ishte një produkt i mediave, të cilat e bombarduan publikun me një pandemi lajmesh terrorizuese, të cilat i detyruan qeveritë të marrin masa vetëvrasëse, për të mos humbur mbështetjen popullore. Sigurisht, pjesa më e madhe e kësaj furtune u inskenua politikisht për të goditur forca qeverisëse, ashtu siç pati edhe krerë shtetesh që e përdorën për të forcuar pozitat e tyre në rënie. Paniku pamundëson gjuhën e arsyes dhe i bën turmat kërcënuese. Nën tërbimin e tyre, thuajse të gjithë aktorët publikë, përfshi këtu edhe ekspertë, u detyruan të konformohen e vetëcensurohen, ashtu siç pati edhe shumë të tjerë që e udhëhoqën këtë histeri, duke shfrytëzuar situatën për të fituar më shumë mbështetje publike.

Pra, realiteti sot nuk krijohet nga arsyeja, por nga një mënyrë tjetër komunikimi, që i përgjigjet shoqërisë së spektaklit dhe hutimit. Një nga teoricienët më të rëndësishëm të komunikimit, Marshall McLuhan, e quan këtë një realitet narcizist, i karakterizuar nga mpirja. Ashtu si te Narcisi, i shtangur prej kontaktit me imazhin e vetes së pasqyruar në ujë, mpirja është një reagim refleksiv i shoqërisë sonë intensivisht teknologjike dhe narkotike. Si një zgjatim i vetë qenies njerëzore dhe amputim i funksioneve të saj, media e sotme intensifikon presionet duke sjellë topitjen e publikut. Në fakt, vetë forma e shoqërizimit që vjen nga kjo mënyrë komunikimi karakterizohet nga mungesa e thellë e zhvillimit të të menduarit, njëfarë gafleti kolektiv i shndërruar në mënyrë jetese. Epoka e ankthit dhe mediave elektrike, – thotë McLuhan, – është njëkohësisht epoka e apatisë dhe pavetëdijes.

Nga ky këndvështrim, mund të themi se, më shumë sesa një derë për të dalë në një epokë të re, kjo pandemi përbën kulmimin e kësaj mënyre të çoroditur jetese, që ka prodhuar kultura moderne e të mosmenduarit. Paniku global nga një sëmundje aspak shfarosëse si kjo, është tregues i një çmendurie globale të krijuar nga mjetet e komunikimit që kemi në përdorim, apo më mirë të themi, që na kanë në përdorim. Ne jetojmë në një botë të dominuar nga komunikimi përmes këtyre mjeteve, natyra e të cilit ka idiotizuar shoqërinë. Kultura, politika, mjedisi social janë produkt i kësaj marrëdhënieje dehumanizuese, e cila na kthen në instrumente të spektaklit, vanitetit, cektësisë dhe iracionalitetit që ajo kultivon.

Kjo do të thotë se shoqëritë tona nuk kanë shumë gjasë të reflektojnë, për sa kohë goditja e marrë nga pandemia është gjendje mpirjeje dhe jo kthjellimi. Për rrjedhojë, nëse këto ngjarje mund të sjellin ndonjë ndryshim, ai mund të jetë vetëm një stad tjetër i hutisë shoqërore dhe dominimit të instrumenteve të komunikimit mbi individin. E vetmja shpresë është që, njerëz me kthjelltësinë dhe integritetin e duhur, të reflektojnë dhe të angazhohen ta përcjellin këtë shqetësim në një nivel më të gjerë shoqëror. Në mos, makthet distopike do të jenë më afër se kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *