Shkruan, Blerim Shala
Donald Trump është i paparashikueshëm.
Nëse ka një cilësim për të cilin pajtohen politikanët, ekspertët dhe gazetarët e te dy krahëve të politikës amerikane, është pikërisht ky për paparashikueshmërinë e Donald Trumpit, Presidentit të sapozgjedhur të 47-të të Republikës amerikane të krijuar në vitin e largët 1776.
Trumpin nuk e zë dot as statistika, as hulumtimet më të sakta të opinionit publik, nuk e zë dot as gjyqësia, e lëre më tradita dhe historia e demokracisë amerikane.
Kështu, ta zëmë, të gjithë ata që merren me matjen e pulsit publik, si para tetë viteve kur Trump fitoi zgjedhjet për President në garën me Hillary Clintonin, si tani, kur ky mposhti një tjetër kandidate femër demokrake, Kamala Harris, shënuan dështimet e tyre më të mëdha të mundshme.
Askush prej tyre në vitin 2016 nuk kishte paraparë që Trump mund t’i fitojë zgjedhjet presidenciale dhe do të bëhet Presidenti i parë që vinte nga qarqet biznesore, e jo nga institucionet amerikane.
Askush prej tyre, në vitin 2024, nuk kishte ofruar rezultate të hulumtimit të opinionit publik, që shfaqnin një fitore bindëse dhe të thellë të Trumpit. Të kuptohemi, fitorja e tij nuk përjashtohej, madje, kalkulohej prej shumëkujt, por ajo matej me 1-2% në të gjitha shtetet luhatëse, ndërsa në nivelin kombëtar, Harris qëndronte më mirë.
Trump kështu e ka ndërmend me i lënë pa punë pollsterët anëkënd Amerikës.
Nuk dihet a mund të ketë shpjegim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të këtyre dështimeve të njëpasnjëshme dhe të mëdha të atyre që provojnë ta bëjnë matje shkencore disponimin dhe vullnetin politik në Amerikë (dhe kudo në Perëndim), por ka të ngjarë që problemi kryesor për të gjithë këta, për më shumë, edhe për atë politikën tradicionale amerikane është që këta janë zënë plotësisht në befasi me një figurë politike çfarë është Donald Trump.
Trump u krijua si politikan nga një gjendje e re shoqërore dhe politike në Amerikë, ku shumica prej amerikanëve janë thellësisht të pakënaqur me gjendjen e tyre individuale, familjare, shoqërore, kulturore. Kur këtij disponimi vazhdueshëm kritik iu shtuan edhe telashet sociale dhe ekonomike (inflacioni i lartë), atëherë, fitorja e Trumpit duket se ishte epilogu i vetëm i arsyeshëm i këtyre zgjedhjeve.
Pollsterëve pra, dhe politikanëve tradicional amerikanë, duket se iu ka humbur diku filli i kuptimit të zhvillimeve reale në vendin e tyre. Për më shumë, nuk ka shenja që së shpejti këta mund të këndellen dhe të nisin të ndryshojnë qasjen dhe politikën e tyre në përputhje me këto rrethanat e reja.
Në anën tjetër, Trump kësaj here ka shënuar një fitore të pastër thuaja në të katër anët e Amerikës. Dhe këtë e ka bërë pa bërë asnjë të vetmin kompromis sa i përket paraqitjeve të tij publike në gjithë fushatën, megjithë vërejtjeve të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Ai, si rëndom, në ligjërimin e tij politik dhe mediatik, ishte i drejtpërdrejtë dhe brutal, duke mos kursyer askë nga kampi kundërshtar i Partisë Demokratike.
Dhe në këtë aspekt ky është krejtësisht i sinqertë.
Sidoqoftë, siç po shihet, Donald Trump do të koncentrojë në duart e tij dhe të Administratës së tij të Dytë, një fuqi politike të pashoqe në historinë e re të shtetit amerikan, dhe thuaja në gjithë historinë e Partisë Republikane.
Ai do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë, dy dhomat e Kongresit amerikan (Dhoma e përfaqësuesve dhe ajo e Senatit), poashtu do të jenë të prira nga republikanët, teksa dihet që edhe raporti i forcave në Gjykatën Supreme është në favor të Trumpit.
Pastaj, dihet që ndaj tij do të pushojnë të gjitha nismat dhe veprimet prokuroriale, duke përfshirë edhe ato për rolin që Trump kishte në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur turma e dhunshme u mundua ta ndryshojë me të gjitha mjetet e mundshme rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020 të cilat i fitoi Joseph Biden.
Më në fund, ai u bë më i pasur për një miliardë dollarë menjëherë pas ngadhnjimit në zgjedhje.
Kur ta do ta do. Si thuhet ndër ne.
Sidoqoftë, në atë terminologjinë mjekësore, mund të thuhet që fitorja e Donald Trumpit në dyluftimin me Kamala Harris, është para se të gjithash reflektim real i gjendjes së shoqërisë dhe politikës amerikane.
(klankosova.tv)