Ushtarët koreanoveriorë të batalionit elitar ushtarak “Stuhia”, mund të jenë krenaria e ushtrisë së shtetit komunist, mirëpo një ish-pjesëtar i ushtrisë është duke paralajmëruar që ata do të jenë mish për top për ushtarët ukrainas.
Hyunseung Lee ka qenë në ushtri për tre vjet e gjysmë në batalionin e artilerisë dhe zbulimit, në fillim të viteve 2000. Përgjatë kohës së tij në ushtri ai ka është stërvitur për gjashtë muaj në batalionin “Stuhia” – pjesëtarët e të cilit tani besohet se janë të angazhuar në Rusi.
Teksa ka raportime se trupat koreanoveriore tashmë kanë nisur luftimet kundër ushtrisë ukrainase në rajonin jugperëndimor të Rusisë, Kursk, Lee, 48-vjeçar, ka paralajmëruar se pjesëtarët e brigadës elitare nuk janë të përgatitur për një betejë të tillë.
“Ata s’janë fare të përgatitur”, ka thënë Lee për Radion Evropa e Lirë përmes telefonit.
Ai jeton në Shtetet e Bashkuara prej kur është larguar prej Koresë së Veriut, një dekadë më parë.
Burrave koreanoveriorë u kërkohet t’i bashkohen ushtrisë në moshën 17-vjeçare, dhe zakonisht shërbejnë për 10 vjet.
“Ata nuk janë përfshirë kurrë në ndonjë konflikt të madh”, ka thënë Lee për disa trupa ushtarake që janë dërguar në Rusi.
“Ata nuk kanë përvojë të vërtetë në betejë”.
(Radio Evropa e Lirë, https://www.evropaelire.org/a/trupat-koreanoveriore-nuk-jane-gati-per-te-luftuar-ne-ukraine/33194913.html )