Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk zhvilloi takim me presidentin bullgar, Rumen Radev, gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Hungari më 7 nëntor. Megjithatë, ai të premten është kthyer optimist nga Budapesti për integrimin evropian të vendit, sidomos pas takimit dypalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
“Takimi që kryeministri Hristijan Mickoski pati dje [e enjte, 7 nëntor] në Budapest me presidentin francez është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se Emmanuel Macron është padyshim lideri i Evropës në këtë moment”, tha të premten zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski. Nikoloski vuri në dukje se situata politike në Gjermani e bën “Macronin lider të padiskutueshëm të Evropës në këtë periudhë”.
“Ai [Emmanuel Macron] është politikani që ka mbështetjen më të lartë dhe mandatin më të qëndrueshëm brenda Bashkimit Evropian nga të gjitha vendet e mëdha anëtare. Fakti që në një konferencë njëditore [Macron] gjen kohë për t’u takuar me kryeministrin e Maqedonisë [së Veriut], mendoj se flet shumë për autoritetin personal që ka kryeministri Mickoski dhe për reputacionin që gëzon Maqedonia[e Veriut]”, shtoi Nikoloski. (abcnews.al)