Përderisa fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në ShBA e sjell më afër mundësinë për fillimin e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, Ukraina po lufton për ta vënë veten në pozicionin më të fuqishëm për bisedime të mundshme, përfshirë sigurimin e më shumë armëve dhe rezistimin në fushën e betejës.
Një zyrtar i lartë ukrainas tha se katër – pesë muajt e ardhshëm do të jenë jetikë, duke sinjalizuar se si rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë po i përqendron mendjet në Kiev për një lojë të mundshme të përfundimit të luftës. Trumpi, që do të betohet në postin e presidentit më 20 janar, ka thënë se do t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë, por nuk ka treguar si, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ky dimër është pikë kritike… Unë shpresoj që lufta po i afrohet fundit. Tani për tani, ne do t’i përcaktojmë pozicionet për të dyja palët në bisedime, pozicionet fillestare” – i tha zyrtari i lartë ukrainas agjencisë “Reuters”, duke kërkuar që të mbetej anonim për të folur rreth çështjeve të ndjeshme të sigurisë.
Zyrtarët po presin për të parë se cilat figura do t’i emërojë Trumpi në pozitat e larta të sigurisë dhe mbrojtjes për të marrë vesh shenja se si do ta formësojë ai politikën rreth Ukrainës. Ai e ka përjashtuar ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, që në Kiev shihet si pro-ukrainas.
Rusia po avancon me ritmin më të shpejtë që nga viti 2022 pavarësisht nga pësimi i humbjeve të mëdha, ndërsa Ukraina tha janë e kaluar se është përleshur me disa prej rreth 11 mijë trupave të Koresë së Veriut që raportohet se janë dislokuar në rajonin Kursk të Rusisë.
Pasi zhvilloi një telefonatë me Trumpin të mërkurën vonë, të cilën e përshkroi si “të mrekullueshme”, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të nesërmen se ai ishte i bindur që përfundimi i shpejtë i luftës do të nënkuptonte që Kievi të pranojë koncesione të mëdha.
“Nëse është thjesht shpejt, nënkupton humbje për Ukrainën. Unë thjesht ende nuk kuptoj se si kjo do të mund të ishte në ndonjë mënyrë tjetër. Ndoshta ne nuk dimë diçka, nuk shohim” – tha Zelensky.
Ai gjithashtu i kritikoi fjalët për armëpushim pa marrë Ukraina garanci të forta të sigurisë që do ta ndalnin Rusinë nga nisja e një ofensive edhe më të madhe më vonë.
Zyrtari në Kiev tha se duket “me më pak gjasa” pas fitores së Trumpit që do të ketë një ftesë të NATO-s për Ukrainën që të anëtarësohet në aleancë dhe pranoi se ekziston rreziku që Trumpi t’i pakësojë ndihmat.“Shpresoj që administrata e Bidenit do të mundohet që ta shmangë këtë përmes përshpejtimit të ndihmës” – shtoi zyrtari ukrainas.(Nacionale)