Nga viti 2011 kur kanë nisur, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar nën ndërmjetësimin e tre shefave të ndryshëm të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian – Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell.

Secili ka dhënë kontributin e vet, dhjetëra takime janë zhvilluar, e po aq marrëveshje janë arritur. Por, mbërritja te qëllimi përfundimtar mbetet ende larg.

Udhëheqësit politikë të negociatave, Albin Kurti i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, nuk janë takuar qysh më 14 shtator të vitit 2023.

Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë vrarë një polic. Ky përshkallëzim i situatës – më i rëndi ndër vite – i ka çuar pastaj marrëdhëniet mes dy vendeve në pikë kritike.

Shefi në largim i politikës së jashtme të BE-së, Borrell, ka bërë përpjekjen e fundit më 26 qershor, për t’i ulur bashkë Kurtin e Vuçiqin, por pa sukses.

Ka qenë takimi i njëmbëdhjetë i liderëve që kam kryesuar unë. Pra, takim me liderët, jo mes tyre. Sepse, kësaj radhe, nuk ka pasur takim trepalësh”, ka thënë Borrell.

Drejtimin e politikës së jashtme të BE-së tani pritet ta marrë ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Ajo është shfaqur këtë javë në seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, ka folur për luftën në Ukrainë, për konfliktin në Lindjen e Mesme, për rrezikun nga Kina, për forcimin e mbrojtjes në Evropë e çështje të tjera, por, çuditërisht, fare pak për Ballkanin Perëndimor – rajonin ku BE-ja ka shumë ndikim dhe është e përfshirë direkt në disa procese, përfshirë ndërmjetësimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo nuk ka thënë asgjë konkrete për këtë dialog që do ta kryesojë vetë, vetëm është zotuar që zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet realitet.

Unë mendoj se vërtet duhet të kemi një tregim suksesi në pesë vjetët e ardhshëm, sepse kjo nuk është vetëm për prosperitetin e rajonit, por edhe për t’i dhënë shpresë atij”, ka thënë Kallas.

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë, thotë se është i befasuar nga shpërfillja e Ballkanit Perëndimor në fjalimin për politikën e jashtme të BE-së.

Ai thotë se ka pritur që Kallas ta përmendte atë përkrah rajoneve të tjera të rëndësishme, si Ukraina dhe Lindja e Mesme. Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, ka pritur vëmendje të posaçme.

“Fakti që nuk e ka përmendur Ballkanin Perëndimor gjatë fjalimit hyrës, që ka zgjatur 15 minuta, dhe më pas ka pasur vetëm një pyetje për të nga eurodeputetët, mua më ka tronditur. Ngjashëm edhe fakti se asnjë deputet i Parlamentit Evropian nuk duket se është i interesuar për një rajon që është shumë pranë BE-së”, thotë Jozwiak.

Në mesin e sfidave më urgjente politike, Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi, thotë se Kallas, me gjasë, ka zgjedhur t’u japë përparësi çështjeve të sigurisë së BE-së në tërësi dhe ta lërë pak mënjanë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çështjet që sigurisht do ta dominojnë kohën e saj në detyrë, janë lufta e vazhdueshme mes Rusisë dhe Ukrainës, marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së, sidomos pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, pastaj Kina do të mbetet një çështje e rëndësishme, siguria energjetike, e kështu me radhë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë vëmendje të menjëhershme, nëse nuk ka probleme me sigurinë, të cilat janë shumë të mundshme”, thotë Hartwell për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Jozwiak shprehet skeptik për interesin aktual të SHBA-së për t’u angazhuar në këtë çështje.

“Do të kishte kuptim që BE-ja dhe SHBA-ja të ishin në të njëjtën faqe në Ballkanin Perëndimor. Por, kam ndjesinë se dialogu do t’i mbetet BE-së. Nuk jam i sigurt se SHBA-ja ka ndonjë interes real për të qenë në krye kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ndoshta do të ndryshojë”, thotë Jozwiak.

Me fjalët e profesorit Hartwell, Kaja Kallas, si estoneze që është, “e di mirë se çfarë do të thotë të jetosh pranë një fqinji shumë të madh, që paraqet kërcënim të vazhdueshëm ekzistencial për sigurinë tënde”. Ai i referohet këtu Rusisë, e cila ndan një kufi prej gati 300 kilometrash me Estoninë.

Hartwell shprehet i bindur se Kallas nuk do ta ketë prioritet dialogun Kosovë-Serbi, por thekson se është e rëndësishme që të mos e neglizhojë plotësisht. Një qasje proaktive jo vetëm se do t’i qetësonte tensionet mes dy vendeve, por do të ndihmonte edhe në qëndrueshmërinë e rajonit në përgjithësi, sipas tij.

Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin 2021, kryeministrja e atëhershme e Estonisë ka theksuar nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, me arsyetimin se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Se edhe sa kohë do t’u duheshin negociatave që kanë nisur qysh në vitin 2011 dhe kanë prodhuar shpesh pasiguri në vend të zgjidhjeve, nuk e thotë askush. Por, të shpresojmë që jo edhe 13 vjet të tjerë. (REL)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *