Chelsea dhe Arsenali nuk gabojnë.

Premier League ka nisur javën e saj të 12-të pas pauzës së kombëtareve dhe duket se Manchester City ende nuk po e rigjen formën e saj.

“Qytetarët” e Pep Guardiolës kanë pësuar humbjen e pestë radhazi në të gjitha kompeticionet dhe e treta radhazi në kampionat, duke u mposhtur 0-4 nga Tottenham.

“Spurs” e nisën vrullshëm takimin duke gjetur dy herë rrjetën me Maddison në minutat 13’ dhe 20’, ndërkohë ishte Pedro Porro ai që shënoi dhe golin e tretë në minutën e 52’, ndërsa Johnson tundi rrjetën në minutën e 90+3’.

Kështu City vijon të jetë në vendin e dytë, me pesë pikë më pak se Liverpool, teksa kjo e fundi ka një ndeshje më shumë për të luajtur.

Në takimet e tjera Chelsea arriti të fitonte në transfertë përballë Leicester me rezultatin 1-2, falë golave të Nicolas Jackson dhe Enzo Fernandez, teksa për “Dhelprat” shënoi Ayew në fund të takimit me anë të një 11-metërshi.

Një fitore të rëndësishme e mori dhe Arsenali që arriti të triumfonte 3-0 në shtëpi përballë Nottingham Forest, me të dyja ekipet londineze që qëndrojnë vetëm një pikë larg City-t të Guardiolës.

Në takimet e tjera, Evertoni i Brojës barazoi pa gola me Brentford, Aston Villa barazoi 2-2 me Crystal Palace, Brighton triumfoi 1-2 në transfertë kundër Bournemouth, ndërsa Fulham u përmbys 1-4 nga Wolverhampton në shtëpi.(Top Channel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *