Në nivel klubesh, ai synon daljen në Evropë, por Kosova është zgjedhja e tij e vetme në nivel të kombëtareve.
Igball Jashari është njëri nga talentët më premtues në futbollin e Kosovës dhe kjo dëshmohet edhe me faktin që ai tashmë luan në klubin më të suksesshëm kosovar, Prishtinën.
Igballi është nipi i komandantit legjendar Adem Jashari dhe ai pranon se dashurinë për Kosovën e ka mësuar nga familja e tij derisa bartja e fanellës dardane i sjell ndjenjë të veçantë.
“Për mua është një ndjenjë mjaftë e mirë sepse jam rritur tek një familje që është e madhe dhe më kanë folur mjaftë shumë për vendin, se si duhet ta duam Kosovën dhe normalisht kur të vesh fanellën e Kosovës për mua është një ndenjë më e madhe sepse jam nga familja Jashari dhe është një ndjenjë mjaft e madhe për mua”, thotë Jashari për KosovaPress
Madje, si qëllim kryesor Jashari thotë se e ka të luajë me Kombëtaren A të Kosovës.
“Normalisht qëllimi i çdo lojtari është Kombëtarja A sepse unë kam shkuar në grupmoshat U15, U17, U19, U21 dhe për mua është sukses që të kalojë te Kombëtarja A”, shton ai.
Derisa heziton të flas për vendimet e bashkëmoshatarëve të tij, Jashari thotë se Kosova është zgjedhja e tij vetme në nivel të kombëtareve.(gazetaexpress.com)