Të dielën e 24 nëntorit Policia e Kosovës arrestoi tre persona nga Nikshiqi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Kabineti i zëvendëskryeministrit të Malit të Zi për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane, Filip Jovanoviç, duke komentuar arrestimin e tre malazezëve nga Policia e Kosovës më 24 nëntor për arsye se mbanin mbishkrime nacionaliste “Kosova është Serbi”, ka kërkuar që autoritete kosovare t’u sigurojnë të arrestuarve “trajtim të paanshëm” dhe “të drejtë”, duke respektuar të drejtat dhe lirit themelore të njeriut.

Nëpërmjet një komunikate për media ky dikaster ka njoftuar ndër të tjera se shteti malazeze nëpërmjet Ambasadës në Kosovë është në komunikim të vazhdueshëm me të arrestuarit dhe përfaqësuesin e tyre ligjor.

“Shteti i Malit të Zi do të vazhdojë të ofrojë mbështetje konsullore dhe juridike për qytetarët e tij sipas kërkesës së tyre”, thuhet në njoftim, transmeton mediumi malazez, Vijesti.

Kabineti i zëvendëskryeministrit Jovanoviç gjithashtu ka theksuar se do të vazhdojnë të monitorojnë me kujdes ecurinë e mëtutjeshme të procedurës, me shpresë që të gjitha faktet dhe rrethanat e këtij rasti të shqyrtohen në mënyrë të paanshme dhe të drejtë.

“Edhe një herë ju kujtojmë rëndësinë e respektimit të lirisë së fjalës dhe shprehjes që gëzojnë qytetarët e vendeve të tjera, përfshirë edhe qytetarët nga Kosova gjatë qëndrimit të tyre në Mal të Zi”, potencohet në komunikatë.

Të dielën e 24 nëntorit Policia e Kosovës arrestoi tre persona nga Nikshiqi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Dy ditë pasi u dërguan në mbajtje, Gjykata Themelore në Pejë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiç, Marinko Jovanoviç dhe Dragutin Llallatoviç 24 vjeç.Ndryshe dy nga tre të arrestuarit janë pjesëtar të Ushtrisë së Malit të Zi.(Albanian Post)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *