Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk është shtet demokratik dhe nuk beson te pluralizmi politik, prandaj edhe aktualisht ka protesta studentore.
Këto komente, Kurti i ka bërë në një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, duke folur për protestat masive që studentët serbë dhe jo vetëm janë duke i bërë pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.
“Për një shekull e gjysmë, në Serbi ka pasur vetëm 2 vite e gjysmë demokraci. Serbia nuk është shtet demokratik. Atje nuk respektohen të drejtat e njeriut e as të drejtat e pakicave”, tha Kurti.
“Fatkeqësisht, establishmeti në Serbi nuk beson te pluralizmi politik, nuk ka sundim të ligjit, e mu për këtë ka protesta të ashpra studentore”, shtoi.
Kreu i ekzekutivit ka përshtypjen se Serbia është vetëm formalisht republikë, ndërsa “është e pamundur që të bëhet mbretëri edhe në kuptim përmbajtjesor”.
Kurti vlerëson se Serbia është kthyer në një shtet paramilitar”, derisa bëri një krahasim me veprimet që shteti serb i bënë kundër Kosovës dhe kundër protestuesve në Serbi.
“Tek ne e çojnë Milan Radojiçiç-in që të ndërmarrë aksione terroriste, ndërsa në Beograd i rrahin studentët”, deklaroi kryeministri.
Se si përfundon kjo gjë, Kurti tha se dinë nga përvoja historike, “por duket se Beogradi nuk ka nxjerrë asnjë lloj mësimi nga e kaluara e vetë”.(Albanian Post)