Vuçiq: Nuk i kam parë në letër sanksionet kundër NIS-it, por jam informuar zyrtarisht

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u shpreh se ende nuk ka parë dokumentin zyrtar që tregon se Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione industrisë së naftës në Serbi (NIS), por ekziston “një lloj konfirmimi zyrtar” që vendimi të hyjë në fuqi më 1 janar, për shkak të pronësisë ruse.

Kemi një lloj konfirmimi, por na duhet t’i shohim dokumentet. Nuk i kemi parë ende. Kur t’i shohim dokumentet, ne do të flasim me amerikanët e më pas do të bisedojmë me rusët, u shpreh Vuçiç për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).

Prej vitit 2008, shumica e kompanisë NIS është në pronësi të asaj shtetërore ruse Gazprom Neft dhe kompanisë së saj mëmë, Gazprom. Vuçiç deklaroi se nuk është gati të flasë në këtë moment “për mundësinë e sanksionimit të Moskës”.

Një ditë më parë, ai u shpreh se SHBA-të do t’i vendosin sanksionet kundër NIS-it brenda pak ditësh, për shkak të pronësisë ruse ndaj kësaj kompanie që dikur ka qenë shtetërore.

Sipas tij, edhe britanikët do t’iu bashkohen sanksioneve. Mundësia e sanksionimit të NIS-it nuk është konfirmuar as nga Shtetet e Bashkuara e as nga Britania e Madhe. Sipas të dhënave zyrtare, Gazprom Neft dhe Gazprom gëzojnë 56.15% të pronësisë së gjigantit NIS ndërsa 29.87% janë në pronësi të Serbisë.

Bashkimi Europian dhe Amerika e kanë futur Gazprom Neft-in në listën e zezë që në vitin 2014, pas aneksimit që i ka bërë Moska gadishullit ukrainas të Krimesë. Prej nisjes së luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Beogradi ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës dhe vazhdon të kultivojë lidhjet me Kremlinin.

Serbia është e varur nga Rusia në sektorin e energjisë, por ka marrë masa për të diversifikuar rrugët e furnizimit. Marrëveshja e fundit për furnizim me gaz, e firmosur nga Vuçiç dhe presidenti rus, Vladimir Putin, në maj të vitit 2022, skadon në mars të vitit tjetër, pra 2025.(Top Albania Radio)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *