Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, këtë muaj po e përmbyll mandatin e tij në vend.
Ditëve të fundit, ai ka zhvilluar takimet lamtumirëse e aktivitetet e fundit zyrtare në këtë post. Hovenier në këto angazhime la porosinë se SHBA do të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën dhe se dëshiron që Kosovën ta shohë të përparuar.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha të premten Hovenier pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.(gazetaexpress.com)