Lëvizja Vetëvendosje nesër (28 maj) do të realizoj “testin e dytë” në përgatitjet për protestë në sheshet kryesore në qendër të Prishtinës.
Në njoftimin e LVV-së organizimi i nesërm cilësohet si “performancë” ku parashihet të marrin pjesë rreth 3500 persona.
Mbajtjen e organizimit të nesërm e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Koha.net.
Tubimi do të nisë nesër në sheshin “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova” dhe “Ademi Jashari”, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, ndërkaq, përgatitjet teknike nisin në orën 16:00.