Gjykata Kushtetuese e bëri sot publik aktgjykimin e plotë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin, duke mundësuar kështu thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re.
Në vendim thuhet se Gjykata Kushtetuese vendos “të shpallë, me shumicë votash, që Dekreti [nr. 24/2020] i 30 prillit 2020 i Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit ”Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] në lidhje me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Gjithashtu, sot shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë në të cilën pritet të votohet Qeveria Hoti.
“Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re. Presim që të jenë 64-65 deputetë që do të votojnë qeverinë” ka thënë Gashi, transmeton Koha.net.