Rreth 40 mijë persona kanë humbur vendin e punës nga muaji mars i këtij viti, kur Kosova nisi aplikimin e masave kundër përhapjes së Covid-19.
Shifra është konfirmuar nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili ka paralajmëruar se shifra mund të arrij 60 mijë deri në muajin shtator, nëse vazhdohet me këtë trend të rrezikut nga pandemia.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi ka thëne se edhe personat që vazhdojnë të kenë një vend pune, nuk e kanë të sigurtë atë pasi kompanitë po kërkojnë reduktimin e numrit të punëtorëve.
“Në rastet të tilla po ka që po kërkojnë nga punëtorët që të punojnë me nga katër orë punë dhe pagat e tyre t’iu zvogëlohet për 50 për qind”, është shprehur ai.
Azemi ka apeluar tek institucionet që të reflektojnë në këtë drejtim, duke kujtuar se nuk ka pasur asnjëherë gjendje kaq të rëndë të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës.