Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sanksione ndaj qeverisë në Bjellorusi, derisa zgjedhjet e fundit presidenciale të fituara nga Alexander Lukashenko i ka vlerësuar si jo të drejta dhe jo të lira.
Pas një video samiti të mbajtur të mërkurën, Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, u ka dërguar përkrahje popullit të Bjellorusisë pas shpërthimit të protestave kundër rezultatit të zgjedhjeve që e shpallën fitues Lukashenkon.
Vala e zemërimit në Bjellorusi është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya 10.12 për qind.
Ndërkohë, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për dialog – përfshirë Lukashenkon i cili drejton Bjellorusinë për 26 vite. Siç transmeton Al Jazeera, Merkel ka bërë thirrje të gjendjet një rrugë paqësore për të kaluar krizën.
Gjithashtu, Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen, ka thënë se populli i Bjellorusisë dëshiron ndryshimin tani. “Jemi të impresionuar nga guximi i popullit të Bjellorusisë. Ka dhjetë ditë nga zgjedhjet që populli i Bjellorusisë ka dal në rrugë në numër të paprecedentë.
Ata duan demokraci dhe zgjedhje të reja presidenciale pasi këto zgjedhje nuk ishin të drejta dhe as të lira”, ka thënë Von der Leyen.