Takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington mund të mbahet më 3 apo 4 shtator.
Kështu ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por që nuk ka konfirmuar nëse takimi i paraparë të mbahej më 2 shtator është shtyrë.
Gjithashtu, gjatë një interviste në Televizionin serb “Prva”, Vuçiq tha se në takim mund të jetë edhe Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
“Për shkak të mundësisë, por mos më mbani për fjale, por thonë që ekziston mundësia që të paraqitet presidenti i SHBA-së Donald Trump, në rast se ne merremi vesh për diçka”, theksoi Vuçiq, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në konstatimin e gazetarit që presidenti amerikan, në rastin kur bëhet fjalë për vendet e vogla, paraqitet vetëm kur është diçka tejet e rëndësishme, Vuçiq u përgjigj, duke thënë “kjo më shqetëson”.
Takimi që pritet të mbahet në Uashington është paralajmëruar të ketë temë kryesore çështjet ekonomike.