Përmes një propozimi drejtuar Kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit, Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar amendamentimin në një paragraf të nenit në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Mandati i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në propozimin e presidentit, transmeton Gazeta Express.
Siç qëndron tani, në Nenin 162 të Ligjit thuhet se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë për një periudhë pesë (5)-vjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin No.04/L-274 bëhet më herët”.
Një ditë më parë, përmes një adresimi në rrjetin social Facebook, Thaçi tha se shpreson që deputetët do ta mbështesin këtë kërkesë.
“Sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte si dhe rruga e pastrimit të njolla të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë dhe veçanërisht mbi UCK-në, nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë”, ka thënë ai.