Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK në Shqipëri, ka bërë veprimin e radhës kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
SPAK ka njoftuar se ka dërguar në gjykatë për procedim penal ish-Kryetaren e Bashkisë Gjirokastër Zamira Rami.
Siç transmeton VOA, Rami akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me procedurat e ndjekura për dy leje ndërtimi, në kuadër të dy investimeve publike në qytetin e Gjirokastrës.
Sipas Prokurorisë, nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se ish-Kryetarja e Bashkisë ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, për këto dy leje, duke prishur dy prona të ligjshme të dy shtetasve dhe duke i shkaktuar atyre një dëm në vlerën e rreth 60 mijë dollarëve.