Joe Biden do të inaugurohet sot si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bashkë me zëvëndëspresidenten e zgjedhur, Kamala Harris, Biden do të filloj udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në kohën kur vendi dhe bota po përballen me pandeminë e koronavirusit dhe një sërë sfidash të përçarjeve të brendshme dhe të politikës së jashtme.
Biden do të bëjë betimin pak para orës 18:00 (GMT+1) në Uashington.
Presidenti në largim, Donald Trump, nuk do të jetë pjesëmarrës në ceremoninë e kalimit të detyrës. Ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë gjatë pasdites. Në orët e fundit në detyrë, Trump ka falur rreth 73 persona, përfshirë ish këshilltarin e tij Steve Bannon.
Trump i bëri thirrje amerikanëve që “të luten” për suksesin e administratës së re.
Ndërsa, presidenti i zgjedhur Joe Biden, ka në plan të nënshkruajë dhjetëra urdhra ekzekutivë për të përmbysur disa nga vendimet e Trump mbi migracionin, ndryshimin e klimës si dhe për të shtuar përgjigjen e qeverisë ndaj krizës së koronavirusit.