Ka nisur mëngjesin e sotëm procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njostuar se të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë në secilin vendvotim.
“Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve nëpër qendrat e votimit. Janë përcjellë me kohë, sigurisht se ka pasur vonesa për shkak të motit të ligë por ato janë hapur me kohë”, ka thënë zëdhënësi Valmir Elezi, transmeton Koha.net.
Sipas tij, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 794 mijë e 862 votues.
Ndërkohë, organizata Demokracia në Veprim, që në terren ka 500 vëzhgues, ka njoftuar se 3% e vendovotimeve janë hapur me vonesë në gjithë Kosovën.
“Vonesat kryesisht ndërlidhen me mungesën e materialeve zgjedhore si: mungesa e zarfeve të fletëvotimeve me kusht në 6% të vendvotimeve, vulat, Lista e Votuesve, UV llampa, si dhe Spreji kanë munguar në 3% të vendvotimeve”, thuhet në komunikatën e DnV-së.