Gjatë ditës së premte, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 33 viktima nga koronavirusi.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Shkup, viktimat janë të moshës nga 38 deri në 85 vjeç, prej tyre: 12 në Shkup, nga tre në Tetovë dhe Kavadar, nga dy në Manastir, Prilep dhe Resnjë ndërsa nga një viktimë në Kumanovë, Gostivar, Ohër, Strumicë, Strugë, Kriza Pallankë, Vallandovë, Krushevë dhe Kratovë.
Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut, me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, janë diagnostikuar 124,910 persona, janë shëruar 103,831 persona, kanë vdekur 3,607 ndërsa 17,472 persona janë ende aktivë.
Siç transmeton REL, Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka bërë të ditur se të dielën në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë 24 mijë doza vaksinash të kompanisë AstraZeneca përmes sistemit COVAX, si dhe tre mijë vaksina Sputnik V për rivaksinimin e atyre që tashmë kanë marrë dozën e parë.