Gjatë pasdites së hënë është protestuar para Ministrisë së Arsimit në Prishtinë në lidhje me rastin e fundit të abuzimit seksual të një nxënëse të klasës së parë në një shkollë publike në kryeqytet.
“Rasti i fundit të ndodhi në shkollën ‘Faik Konica’, ka treguar edhe një herë realitetin e frikshëm me të cilin rriten vajzat në Kosovë”, ka thënë Fjolla Muçaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist që orgnizoi protestën.
Dy ditë më parë u bë publik video inçizimi ku tre djem të klasës së shtatë ngacmonin seksualisht një vajzë të klasës së parë.
Në protestën para Ministrisë së Arsimit u kritikuan institucionet e vendit, derisa organizatorët thanë se ato “kanë dështuar vazhdimisht të nxjerrin politika te mirëfillta të cilat do ta trajtonin me seriozitet dhunën seksuale që u ushtrohet vajzave”.
Më tutje, gjatë protestës, janë fajësuar edhe mediat për mënyrën e raportimit të rasteve të ushtrimit të dhunës ndaj grave dhe abuzimit seksual.
“Sistemi ynë dhe të gjitha institucionet, duke nisur nga familja e deri tek institucionet publike janë duke prodhuar ngacmues e abuzues seksualë. Kjo është duke u bërë përmes edukimit patriarkal, shtresëzimit e ushqimit të pabarazive dhe neglizhimit të çështjeve akute siç është dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave”, u tha nga organizatorët e protestës, transmeton EkonomiaOnline.
Lexo më shumë këtu