Shtetet e Bashkuara kanë rifreskuar Urdhërin Ekzekutiv i cili parashikon sanksione për individë nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve.

Urdhëri i ri parasheh bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në SHBA të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Urdhëri i ri nga Presidenti Joe Biden përfshin tashmë edhe Shqipërinë dhe zgjeron objektin e saj, duke përfshirë personat që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, transmeton VOA.

Shtëpia e Bardhë thotë se Departamenti i Thesarit, në konsultim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojë të përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri.

Presidenti Biden shprehet në urdhrin ekzekutiv se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

Lexo më shumë këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *