Marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, thotë ish-ministrja Edita Tahiri.
Sipas saj, Kryeministri aktual i Kosovës Albin Kurti e ka përdorur këtë çështje për të përfituar politikisht.
“Unë kam letrën e znj. Mogherini, që garanton se BE e lexon “Marrëveshjen e Asociacionit” si një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Kryeministri Kurti e ka kthyer Asociacionin në kauzë dhe mbi atë kauzë ka fituar zgjedhjet në Kosovë”, ka thënë Tahiri për Euronews Albania.
Ish-kryenegociatorja kosovare tha se formulimi i kësaj marrëveshje është deri diku në përputhje me Kushtetuesen.
“Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, po të ishte Gjykata Kushtetuese do e anulonte marrëveshjen. Formulimi nuk është në mospërputhje, por nuk është plotësisht në përputhje, shumë është e pak nuk është”, ka thënë Tahiri.
Ajo tha se Kurti duhet të mos bëjë bisedime rreth asociacionit në Bruksel, por të zbatoj atë përmes një bashkëpunimi me komunitetin serb.