Kryeministrit të Kosovës i është kërkuar qartësi dhe transparencë rreth procesit të dialogut me Serbinë.
Përmes një letre publike, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga Albin Kurti që t’ju përmbahet parimeve të kërkuara derisa ishte në opozitë.
“Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur ishte në opozitë, në vazhdimësi ka insistuar që transparenca dhe llogaridhënia ndaj Kuvendit dhe qytetarëve rreth këtij procesi janë kyçe. Tani që udhëhiqni me Qeverinë, nga ju presim që t’u përmbaheni këtyre parimeve”, thuhet në hapje të letrës.
KDI konsideron që mungesa e transparencës po thellohet edhe sot, kur në Bruksel po mbahet takim i kryenegociatorit, z. Besnik Bislimi me palën serbe, ndërkohë që Kuvendi dhe as publiku nuk janë të njoftuar për këtë takim.
“Mbyllja e procesit krijon hapësirë për dezinformim, sidomos për faktin që ky proces i ndjeshëm për aq kohë që po vazhdon, është bërë shkak i polarizimeve politike e shoqërore”, thuhet më tej në letër.
KDI kërkon nga Kryeministri Kurti që sa më shpejtë të raportoj në Kuvend për procesin e dialogut me Serbinë.