Edhe kur është më së vështiri, sillu si njeri
61 vjeçarja Nazlia, nga Prishtina, gjatë kohës së luftës ka përjetuar shumë momente të vështira. Ajo thotë se në ato momente të vështira të familjes, në ndihmë i ka dal një familje serbe.
“Gjatë luftës, ne kemi ikur nga vendi ynë duke shkuar në fshat. Atje kemi qëndruar afër një muaj. Jemi kthyer prapë në Prishtinë. S`kemi guxuar të shkojmë tek shtëpitë tona sepse kemi qenë të rrezikuar. Kemi jetuar në qytet. Aty na kanë ndihmuar, kemi pasur disa koleg që na kanë ndihmuar. Jemi njoftuar me ta edhe para luftës e edhe pas luftës me një familje. Na kanë ndihmuar çdo dy-tri ditë me gjana ushqimore, bukë, veshmbathje, e tona tjerat. Na kanë ndihmuar shumë. Kur na kanë pa se jemi ardh me gjata dhe jemi pa bukë, fëmijët u lodhën, ata na kanë pru të gjitha gjana ushqimore” – thotë Nazlia.
Në atë kohë ka qenë shumë rrezik t`i ofrohet ndihmë të tjerëve, thekson Nalzia, por për miqtë e saj kjo s`ka qenë pengesë.
“Kanë rreziku jetën e vet, çdo rast janë ardh dhe tutna nuk mundemi kurrë që t’ja u kthejmë atë të mirë që na kanë ndihmuar ata”.
Lufta dalëngadalë harrohet por miqësia do të jetoj përgjithmonë.
“Po dalim, jemi takuar edhe pas luftës me ta edhe vijnë ata tek na dhe na shkojmë tek ata. I falënderojmë shumë, shumë, shumë, se kur jemi kanë mas rrezikut ata na kanë ndihmuar” – thotë Nazlia.
Veprat e mira nuk vdesin, është një fjalë popullore. Ashtu mendon edhe Nazlia dhe thekson se të njëjtën vepër do t`a bënte edhe për miqtë e saj dhe për këdo tjetër që gjendet në situata të tilla.
Atë që e kemi bërë për të tjerët nuk harrohet
- Publikimi është realizuar në kuadër të projektit “Njerëz të mirë në kohë të së keqes” i zbatuar nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë dhe mbështetur nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë. Projekti kërkon të krijojë një diskurs publik pozitiv për procesin e pajtimit në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në përmbajtjen e publikuar nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Qendrës për Paqe dhe Tolerancë dhe Ambasadës së Zvicrës.