Janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor në Kosovë.
Këto rezultate u shpallën të enjten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas konfirmimeve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se këto institucione kanë vendosur për të gjitha ankesat.
Pas shpalljes përfundimtare të rezultateve është konfrimuar se në raundin e dytë do të votohet në 21 komuna, përfshirë kryeqytetin e Prishtinës.
Balotazhi në Prishtinë do të jetë ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së që fitoi 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së që fitoi 29.17 për qind të votave.
Komunat e tjera që shkojnë në balotazh janë: Gjakova, Gllogoci (Drenas), Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prizreni, Shtime, Viti, Vushtrri, Malisheva, Juniku, Mamushë dhe Kllokot.
Votimet për raundin e dytë do të mbahen të dielën e 14 nëntorit.
Në zgjedhjet e 17 tetorit kandidatët që fituan më shumë se pesëdhjetë për qind të votave janë:
Në Komunën e Deçanit i ka fituar zgjedhjet Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në Mitrovicën e Jugut zgjedhjet i fitoi Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në Lipjan, në rundin e parë fitoi kandidati Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në Suharekë, zgjedhjet për kryetar i fitoi Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në Pejën, Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në Ferizaj, Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në Hanin e Elezit, Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Pa balotazh, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq me kandidatin Zoran Todiq, në Zubin Potok me Sërxhan Vuloviqin, në Zveçan me Dragisha Milloviqin, në Mitrovicë të Veriut me Milan Radojeviqin, në Graçanicë me Liljana Suboviqin, në Novobërdë me Sasha Millosheviqin, në Shtërpcë me Dalibor Jevtiqin, në Ranillug me Katarina Ristiqin dhe në Partesh me Dragan Petkoviqin.