Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Nën-Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, nga e cila është falënderuar për mikëpritjen e refugjatëve afganë.
“Shtetet e Bashkuara falënderojnë Kosovën për mbështetjen e hershme dhe gjeneroze për të mikëpritur përkohësisht afganët,” ka shkruar Nuland pas takimit.
Ndërsa, nga presidenca kosovare u tha se takimi mes Osmanit dhe Nuland rikonfirmoi përkushtimin e vazhdueshëm të dy vendeve për partneritet të fortë, si dhe për angazhimin e palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta.
Osmani tha se Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA-ja dhe rikonfirmoi përkushtimin ndaj vlerave që i bashkojnë dy vendet tona fuqishëm dhe po ashtu theksoi përkushtimin e institucioneve për forcimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e perspektivës ekonomike për popullin e Kosovës, transmeton KlanKosova.