Një raport i hartuar nga Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (IDEA) tregon se demorkacia është duke u përkeqësuar në gjithë botën.
Raporti i publikuar të hënën ka theksuar veprimet e shteteve në përballje me pandeminë Covid-19, duke vënë në dukje veprimet jodemokratike dhe të panevojshme.
Siç transmeton REL, në raport thuhet se deri në gusht të vitit 2021, 64 për qind e shteteve kanë ndërmarrë masa kundër pandemisë, që janë konsideruar si “joproporcionale, të panevojshme apo joligjore”.
Sipas raportit të organizatës IDEA, numri i demokracive që kanë shënuar regres është dyfishuar në dekadën e fundit dhe veçanërisht janë përmendur Shtetet e Bashkuara, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia.
“Kjo është koha që demokracitë të jenë të guximshme, inovative dhe të rigjallojnë veten”, tha sekretari i përgjithshëm i IDEA-s, Kevin Casas-Zamora.
“Në përgjithësi, numri i shteteve që lëvizën drejt autoritarizmit më 2020 tejkaloi numrin e shteteve që po shkonin në një drejtim demokratik”, thuhet në raport, duke shtuar se në dy vjetët e fundit, bota ka humbur të paktën katër demokraci ose përmes zgjedhjeve apo puçeve ushtarake.