Kosova dhe Shqipëria duhet t’i tregojnë botës se rreziku për Ballkanin vjen nga politika e Serbisë, ka thënë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Osmani u shpreh kështu gjatë takimit me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, nga i cili ka kërkuar që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm për Kosovën në organizatat ku kjo e fundit nuk përfaqësohet.
“Presidentja Osmani tha se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë”, bëhet e ditur në komunikatën e Presidencës, transmeton Koha.net.
Presidentja Osmani nuk ka nguruar të kritikojë nismën “Ballkani i Hapur”, themeluese e të cilës është edhe Shqipëria, bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonal, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar Osmani.
Në vigjilje të Ditës së flamurit, Osmani e ka uruar presidentin Meta dhe popullin shqiptar për 109- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka theksuar se kjo ditë i bën krenarë shqiptarët kudo që janë.