Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se demokracia në gjithë botën është ‘sfida e kohës tonë’.
Në nisje të Samitit për Demokracinë, Biden tha se në mbarë botën demokracia po përballet “me sfida të qëndrueshme dhe alarmante”.
Sipas Bidenit, trendet e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar”, prandaj, ai tha se “demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon “përpjekje të vazhdueshme”.
“Demokracia nuk ndodh aksidentalisht. Ne duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë dhe sipas meje, kjo është çështje urgjente për të gjithë ne”, tha Biden, transmeton REL.
Ai tha se në planin e brendshëm, SHBA-ja ka nisur një sërë iniciativash për t’ua përmirësuar jetën amerikanëve, por po ashtu “ne po dyfishojmë mbështetjen tonë për demokracitë në mbarë botën”, tha Biden.
Biden bëri thirrje që bota të ngrihet në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Në Samitin e Demokracisë që po mbahet virtualisht dhe ku po marrin pjesë liderët e 110 shteteve, pjesë e tij është edhe Kosova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë. Ajo u zotua se Kosova do të punojë me të gjitha shtetet për të “kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për ta promovuar paqen në mbarë botën”.
Lexo më shumë këtu