Pasi të merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, Franca do të organizoj një konferencë për Ballkanin Perëndimor.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar konferencën që do të organziohet në muajin qershor të vitit të ardhshëm.
“Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë,” ka thënë Macron, transmeton REL.
Presidenca franceze e Këshillit të BE-së fillon nga muaji janar i vitit 2022.
Macron tha se duhet të ketë përgjegjësi ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të zbatohet politika që favorizon integrimin ekonomik të rajonit. Ai gjithashtu tha se duhet luftuar “kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”.
Këto qëndrime të shprehura nga Macron po shihen si inkurajuese duke patur parasysh se vitet e fundit Franca është treguar më skeptike karshi procesit të zgjerimit të BE-se.
Në konferencën për shtyp të enjten, Macron gjithashtu tha se “nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshme, nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën është sot”.