Tre personave të arrestuar në lidhje me vrasjet në Gllogjan të Deçanit u është caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh.
Gjykata Themelore në Pejë aprovoi kërkesën për caktimin e paraburgimit për H.M, K.M dhe M.M, për shkak të dyshimit se të njëjtit kryen vepër penale vrasje e rëndë, transmeton REL.
Të pandehurit, dyshohet se sulmuan më 26 nëntor një autobus i cili udhëtonte nga Gjakova drejt Gllogjanit.
Në këtë sulm mbeti i vrarë shoferi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda automjetit.
Gjykata, sipas njoftimit, duke marrë parasysh “dënueshmërinë e lartë të veprës penale, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, faktin se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke marrë parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast, rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njëjtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar ose të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre e me këtë të pamundësojnë zbardhjen e plote te rastit”, u përcaktua për masën e paraburgimit.