Gjykata e Lartë në Shqipëri ka rrëzuar ankimin e ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për të rihapur procesin gjyqësor ndaj tij në lidhje me shpërthimin në Gërdec që ndodhi 13 vite më parë.
Me vendimin e sotëm, për Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, nuk ka më asnjë pengesë që ta çojë çështjen për gjykim, transmeton VOA.
Zoti Mediu, përmes avokatit të tij, e kishte konsideruar vendimin e Apelit si “në shkelje të hapur të kushtetutës”.
Në përfundim të hetimeve në vitin 2009, Prokuroria e përgjithshme e asaj kohe, ngriti ndaj zotit Mediu dy akuza për shpërdorim detyre ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Zoti Mediu megjithatë nuk u gjykua kurrë, duke qenë se ai rifitoi mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të atij viti, dhe prokuroria e cila duhej të kërkonte sërish autorizimn e parlamentit, nuk bëri më një kërkesë të tillë.
SPAK ka regjistruar tanimë procedimin penale ndaj zotit Mediu, dhe në gjykatë pritet të çohet pikërisht dosja e hetimeve të kryera deri në 2009 nga Prokuroria e përgjithshme.