Ambasadorja franceze në Shqipëri, Elisabeth Barsacq, ka shprehur skepticizëm në lidhje me të ardhmen e nismës “Ballkani i Hapur” për aq kohë sa Kosova nuk njihet nga Serbia.

Ajo ka vlerësuar arritjet e marrëveshjeve të deritanishme të tri shteteve pjesëmarrëse të nismës, por ka theksuar se në rajon çështja kryesore mbetet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk do të mund të ndërtojmë në mënyrë të qëndrueshme një Evropë vërtet sovrane, nëse nuk e kemi këtë dialog dhe nuk ecim përpara në këtë fushë”, ka thënë Barsacq, transmeton Koha.net.  

“Nëse e shikoni nga pikëpamja globale e të gjithë rajonit, çështja e vërtetë mbetet njohja e Kosovës nga Serbia dhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ambasadorja franceze në Tiranë ka rikujtuar si një hap të rëndësishëm vendosjen e ‘free roaming’ mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nga vera e vitit të kaluar.

“Fillohet me gjëra të tilla, ndoshta jo shumë spektakulare, për të shkuar drejt gjërave vërtet thelbësore”, ka thënë Barsacq duke bërë krahasim me të kaluarën e Francës dhe Gjermanisë dhe kur këto dy vende vendosën të bashkojnë qymyrin dhe çelikun.

Franca me 1 janar ka marrë Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Pas Sllovenisë, ajo do të kryesojë Këshillin e Bashkimit Evropian për gjashtë muaj, i cili përfaqëson interesat e 27 shteteve anëtare përpara Komisionit dhe Parlamentit Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *