Serbia është pajisur me armë të reja të llojit “Kornet” të blera nga Rusia.
Për këtë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është shprehur të jetë i lumtur. Ai morri pjesë në trajnimin e ushtrisë në një bazë ushtarake afër Beogradit në të cilin ushtrim u përfshinë raketa anti-tanke “Kornet” të blera së fundmi.
“Jam i gëzuar që ushtarët tanë janë të kënaqur për blerjet e Kornetëve nga Rusia. Është ndoshta një ndër armët më të mira anti-tank në botë”, tha Vuçiq, transmeton Gazeta Express.
Së fundmi, Serbia është armatosur kryesisht me aeroplanë ushtarakë rusë dhe kinezë, dronë dhe sisteme anti-raketore.
Vuçiq tha të hënën se Serbia “mbetet në rrugën e saj evropiane” por shtoi se do të vazhdojë të ushqejë lidhjet miqësore me Rusinë dhe Kinën.