Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar të hënën Telekomin e Kosovës dhe ka premtuar se do ta largoj atë nga kriza.
Kurti tha se gjatë këtij viti qeveria e drejtuar nga ai synon që Telekomin ta vendos “në binarët e zhvillimit”.
“Ne jemi të interesuar që Telekomin, Valën ta bëjmë lider në Kosovë, ashtu sic ka qenë dhe për këtë arsye i kemi dhënë mbështetje financiare në vitin që lamë pas,” ka thënë ndër të tjera Kurti.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se Telekomi, si ndërmarrje publike ka pasur përmirësim të performancës.
“Bordi dhe menaxhmenti i Telekomit kanë qenë aktiv dhe të suksesshëm në ngritjen e performancës, uljen e shpenzimeve operative, në ndërprerjen e kontratave të dëmshme, parandalimet dhe shfuqizimet në gradime të paligjshme, ku kanë bërë gjashtë Kallëzime Penale për kontrata të ndryshme të dëmshme që janë gjetur në të kaluarën dhe kanë filluar një proces të ristrukturimit për të cilën e kanë përkrahjen tonë”, ka thënë Rizvanolli në konferencë për media, transmeton Klan Kosova.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ndau 10 milionë euro mbështetje për Telekomin.