Ka vdekur në moshën 65 vjeçare Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli.
Nga mesi i muajit dhjetor, Sassoli ishte shtruar në një spital italian pasi vuante nga jofunksionimi normal i sistemit imunitar.
Gjatë ditës së martë, flamujt u valëvitën në gjysmë shtizë në godinën e Parlamentit Evropian, për të nderuar presidentin e ndjerë të këtij institucioni.
“Sot unioni humbi një europian të zjarrtë, një demokrat të sinqertë dhe një njeri të mirë. David Sassoli ishte një njeri me besim të thellë e bindje të forta. Të gjithë e donin buzëqeshjen dhe mirësinë e tij dhe se dinte të luftonte për atë që besonte”, u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian Ursuala von der Leyen, transmeton VOA.
Kryeministri italian Mario Draghi e cilësoi atë një “pro-evropian të fortë, gazetar pasionant, simbol të ekuilibrit, humanizmit e bujarisë”.
Sassoli do të mbahet mend për ngritjen në Parlamentin Evropian të kauzës së migrantëve që humbën jetën në detin Mesdhe apo disidentëve, sikurse udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny, që vazhdon të kundërshtojë Kremlinin nga qelitë e burgut në Rusi.
David Sassoli, një ish-gazetar italian, u zgjodh për herë të parë si anëtar i Parlamentit Evropian në vitin 2009, dhe 10 vite më vonë në detyrën e presidentit të këtij institucioni.