Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të kërkoj një rezolutë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në vend.
Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se të enjten do të kërkohet “nga qeveria me i marrë gjitha masat për rivitalizim të situatës”.
Ai tha se nuk do të protestojnë pasi vendi ndodhet në një situatë të vështirë pandemike, transmeton Klan Kosova.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj pas propozimeve të ZRRE për ngritjen e qmimeve të energjisë elektrike.
“Përmes kthimit te blloktarifa po tentohet të zhvendoset piku i konsumit dhe të stimulohet kursimi, por në të njëjtën kohë kjo rritje po përcillet me një diskriminim të drejtpërdrejtë për konsumatorët, të cilët energjinë elektrike e kanë si burim të vetëm të ngrohjes, e në anën tjetër nuk po shohim asnjë masë të mbështetjes së mirëfilltë nga Qeveria qoftë në ofrimin e burimeve alternative qoftë në efiçencën e energjisë”, ka thënë Blerand Stavileci, anëtar i kryesisë së PDK-së.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qeverinë e vendit.
“Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatë energjetik”, është shprehur Abdixhiku, transmeton Kallxo.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet. Tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.